Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes u ngrit mbi përvojën e krijuar nga Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” mbi bazën e Vendimit të Këshillit të Ministrave , Nr. 266, dt. 25.05.2000. Hedhja e themeleve si një institucion i lartë nuk erdhi rastësisht . Ai ishte produkt i mendimit përparimtar , si dhe i kërkesave të ligjshme të intelektualëve, dashamirësve, të rinjve dhe të rejave , që kuptonin rolin e padiskutueshëm të ushtrimeve fizike dhe sporteve në jetën shoqërore si dhe ndjenin nevojën e organizimit të tyre në kushtet e një veprimtarie sistematike dhe me kërkesa profesionale.
Në këto rrethana, ishin pjekur kushtet që disa vjet pas “çlirimit të vendit”, krahas shkollave të tjera të çelej dhe një institucion specifik që të përgatiste “Specialistë të Edukimit Fizik” Kështu në vitin 1948 ngrihet shkolla e parë për përgatitjen e specialistëve të Edukimit Fizik në vendin tonë “Teknikumi i Fizkulturës”.
Ky institucion përgatiti specialistët e parë me “arsim të mesëm” të Edukimit Fizik deri në vitin 1967-68.
Me urdhër të Ministrit të Arsimit, Nr.2, datë 22.08.1960, Fakulteti i Fizkulturës fiton statusin 3 – vjeçar të studimeve. Nuk do kalonte shumë kohë që Fakluteti i Fizkulturës të merte atributet që i takonin. Kështu, me Vendim të Këshillit të Ministrave, Nr.394, datë 14.09.1960, çelet Instituti i Fizkulturës, siç do të quhej Instituti i Kulturës Fizike, në vend të Fakultetit të Fizkulturës. Kështu, në vitin 1961, me Vendim të Këshillit të Ministrave, Nr.385, datë, 28.10.1961, krijohet Instituti i Lartë i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, me afat 3-vjeçar.
Ky institucion kishte vlera ekuivalente me të gjitha shkollat e larta në vendin tonë. Studentët që do përfundonin studimet do të njiheshin si “specialist me arsim të lartë”.
Do të kalonin mjaft vite, që ILKF të përfshihej gradualisht në nivelet e strukturave bashkëkohore. Kështu, me Vendim të Këshillit të Ministrave, Nr.328, dt.30.07.1992, ILKF “Vojo Kushi” ndryshon afatin e studimeve nga 3 në 4 vjet. Me përmirësimin e standarteve të veprimtarisë mësimore dhe asaj shkencore, ILKF “Vojo Kushi” do të kthehej në vitin 2000 në Akademi të Edukimit Fizik dhe Sportit “Vojo Kushi”. Fitimi i këtij statusi përkonte me nivelin profesional dhe shkencor të punonjësve të Stafit Pedagogjik të këtij Institucioni si dhe me arritjen e objektivave më të larta, për përgatitjen e specialistëve të Edukimit Fizik e Sportit në të ardhmen.
Me rritjen e kërkesave të kohës lindi nevoja e krijimit të Universitetit të Sporteve me 2 Fakultete, ku njëri Fakultet është vazhdimi i AEFS “Vojo Kushi”.